Kandidat i Partisë Socialiste për kryetar i Bashkisë Shkodër
Njihu me Benet Becin
Benet Beci ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Ekonomisë në vitin 1987, ndërsa master në Administrim Biznesi me një temë mbi sistemin bankar në vitin 2003 dhe doktoraturën në vitin 2015 me një temë mbi zhvillimin rajonal. Ai ka kryer edhe një sërë specializimesh të tjera brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në sistemin bankar dhe atë të mikrofinancës, analizës financiare e menaxhimit të riskut, por edhe mbi partneritetet publiko-private dhe inovacionet në qeverisje.
Gjatë karrierës së tij, Benet Beci, numëron detyra të rëndësishme duke filluar nga ajo në Ministrinë e Transporteve, ku për 5 vite ka mbajtur detyrën e inspektorit të tarifave dhe standardeve. Më pas, në vitin 1992 ka punuar në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në Bankën Kombëtare (sot Banka e Shqipërisë). Nga viti 1993 deri në vitin 2005 z.Beci ka punuar në institucione financiare të ndryshme si Banka Kombëtare Tregtare, Fondi i Financimit Rural, dhe Unioni i Shoqatave të Kursim Kredisë. Po ashtu ai ka qenë anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe anëtar i Komitetit të Kontrollit të Bankës së Kreditit të Shqipërisë.
Detyra më e rëndësishme dhe afatgjatë ka qenë ajo e drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një institucion publik që implementon projekte zhvillimi në nivel lokal dhe kombëtar.
Pse motoja e kësaj fushate është #shkodrapozitive?
Të gjithë njerëzit në botë janë të lidhur me vendin e tyre, por nuk ka shkodran në Shkodër, Tiranë e në të gjithë globin që të mos jetë krenar për rrënjët e veta. Dhe me të drejtë, Shkodra është aty prezente dhe e rëndësishme si një gur i rëndë themeli në të gjithë formësimin e kombit shqiptar. Ka dhënë patriotizëm, politikë, biznes, kulturë, gjuhë, shkencë, sport, art e humor duke qenë në krahun e duhur të historisë në çdo udhëkryq sprovues të historisë së kombit shqiptar. Kemi çdo arsye të jemi krenarë për të shkuarën e bashkisë sonë.
Për një kohë shumë të gjatë Shkodra ka mbetur peng i një retorikë politike boshe, polarizuese dhe tmerrësisht të vjetruar. Ka mbetur peng i një politike provinciale, që prodhon vetëm konflikt, dembelizëm, vegjetim, mungesë idesh e projektesh, por mbi të gjitha vullneti e dëshire për të çuar gjërat përpara. Shkodra sot vuan probleme të shumta të braktisjes, papunësisë dhe ekonomisë së dobët, vende pune të kufizuara dhe jo të paguara mirë, një klimë biznesi që e rendit në periferi të Shqipërisë, infastrukturë të dobët lidhëse, mungesë të zhvillimit të turizmit me ritmet e duhura dhe një kulturë anemike inovacioni e biznesesh të reja. Shkurt, kur flet për ekonomi dikush nuk mendon për Shkodrën.
Kultura, trashëgimia kulturore , identiteti ynë duket si i lënë pas dore, zhvillimi kaotik urban, infrastruktura e dobët në qytet e në fshatra, problemet thujase rutinë të përmbytjes në NënShkodër, mungesa e askesit në Dukagjin, të gjitha së bashku kanë krijuar një situatë të vështirë. Edhe punët e përditshmë të bashkisë si pastrimi, hapësirat publike, transporti publik, biçikletat, strehimi social janë në një gjendje fatkeqësisht të pakrasueshme me qytete të tjera si Shkodra, nganjëherë as me bashki shumë më të vogla se Shkodra.
Ndërsa besoj se në këtë situatë gjendet Shkodra sot, ka pjesën e vet jo të vogël të fajit edhe qeveria që nuk ka bërë mjaftueshëm, e ne duhet ta pranojmë këtë, gjithashtu besoj se asnjë zgjidhje nuk mund të vijë nga sipër, por duhet të gjenerohet këtu.
Për një kohë të gjatë kemi referencë vetëm të shkuarën pa pasur mundësi të krenohemi me të tashmen e të ardhmen tonë. Sot, Shkodra vetë është në një udhëkryq të rëndësishëm, a do të zgjedhim të vazhdojmë të krenohemi me të shkuarën e të ankohemi për të tashmen, apo do ta marrim në dorë të tashmen e të ardhmen tonë? Unë besoj fort te kjo e dyta, është koha që ta kthejmë Shkodrën atje ku i takon, në ballë të vendit.
Shkodra ka nevojë për punë, jo për politikë, për bashkëpunim konkret me qasje pozitive, jo për izolim. Mendoj se këtë di ta bëj shumë mirë, kam përvojën, mbështetjen dhe programin e duhur, ashtu siç jam i bindur se do të kem edhe mbështetjen e qytetarëve të Shkodrës, sepse:
Unë besoj shumë në #shkodrapozitive, e cila e ka dëshirën, talentin, vullnetin e dëshirën për tu ngritur mbi problemet ekzistuese.
Unë besoj shumë në #shkodrapozitive, ku të rinjtë e të rejat e talentuar kanë mundësinë dhe dëshirën për të ndërtuar jetën këtu.
Unë besoj shumë në #shkodrapozitive, që ndërton një ekonomi të fuqishme e rikthehet qendër e rajonit siç ka qenë gjithë jetën.
Unë besoj shumë në #shkodrapozitive, që shfrytëzon burimet e saj të pafundme natyrore në të mirë të gjithë qytetarëve të saj.
Unë besoj në #shkodrapozitive, ku qytetarët e saj të majtë a të djathtë, në fshat apo qytet, jetojnë mirë e me dinjitet mbështetur te puna e tyre.
Unë besoj në #shkodrapozitive, e cila siç e ka traditë është e hapur për bashkëpunim, me qeverinë e bashkinë, me biznesin e shoqërinë civile, me donatorë e partnerë, me të rinjtë e të moshuarit.
Unë besoj në #shkodrapozitive që në pak vite, me mbështetjen e qeverisë dhe donatorëve, kthehet në një kantier ndërtimi të punëve publike.
Unë besoj në #shkodrapozitive, që në pak vite kthehet në një qendër graviteti kombëtar për biznesin, kulturën, artin e sportin dhe në një referencë për të gjitha bashkitë e tjera të vendit.
Unë besoj në #shkodrapozitive, që në pak vite kthehet në kartolinën europiane të Shqipërisë, ty ku jetë e mot Europa është takuar me shqiptarët.
Ndaj jam i bindur se bashkë me ekipin tim, ashtu si edhe me kandidatët për Këshillin Bashkiak që Partia Socialiste do të propozojë, po ndërtojmë një program konkret e të mirëmenduar për Bashkinë e Shkodrës. Programi ynë do të bëhet publik gjatë fushatës e shpresoj që ju do të na bashkoheni jo vetëm për ta diskutuar në detaje, por edhe për t’i besuar këtij programi që ne do ta përkthejmë në plane konkrete pune.Dua shumë të besoj që shumë prej jush do ta përkrahin #shkodrapozitive dhe do të na japin mundësinë ta vëmë atë në jetë.
Ju falenderoj për mbështetjen , sfida është e madhe, të gjithë së bashku mund t’ia dalim.
Benet Beci
Njihuni me Benet Becin: Fëmijëria, familja, fisi dhe marrëdhënia e tij me Shkodrën
Njihuni me Benet Becin: Nga menaxher në deputet, hyrja në politikë
Njihuni me Benet Becin: jeta parlamentare, zhgënjime e mundësi të reja
Njihuni me Benet Becin: Shkodra në sytë e një menaxheri që synon bashkinë
Shkodra nuk mund të jetë më peng i politikës
Shkodra pozitive, përvoja programi dhe plani i punës i një ekipi që është gati ta çojë Shkodrën aty ku i takon