Nga Benet Beci
Përmirësimi i ekonomisë në qytet, nuk është një slogan për hatër të një programi që duhet prezantuar. Është një nevojë, një bindje, një domosdoshmëri. E thonë të gjithë, në cdo takim, në çdo bisedë, në çdo biznes. Ekonomia, ekonomia, ekonomia. Kjo është e vetmja rrugë. Turizmi, tregu dhe zhvillimi duhet të jetë në Shkodër jo pse ne jemi shkodranë, por se gjithë graviteti historik dhe qendra rajonale e gjithë kësaj zone ka qenë Shkodra.
Ne nuk bëjmë asgjë veçse kthejmë atë që i takon, atë që duhet, atë që natyrshëm ndodh e kthejmë në Shkodër dhe për këtë duhet një projekt, investime, bashkëpunim e të jemi gati. Unë e shoh që ka energji në Shkodër, e vonuar ka qenë përpjekja për ta filluar këtë projekt por ndoshta tani është koha e duhur për të filluar një aksion të fuqishëm të qeverisë me bashkinë dhe donatorët të koordinuara dhe me çdo faktor që i shkon për qasje zhvillimit për ta bërë këtë pikë të Shqipërisë një rajon i cili ka rrezatim përtej kufinjve të vet, një rrezatim natyral e historik të të gjithë rajonit.