Programi/Projekte

Shtyllat kryesore të programit:

Shkodra dhe të gjithë ne jemi  sot në një udhëkryq të rëndësishëm: ose duhet  të merremi seriozisht me shfrytëzimin e pasurive të bollshme natyrore e njerëzore dhe t’i vëmë në shërbim të gjithë banorëve ose të pajtohemi me qenien në periferinë e zhvillimeve europiane dhe kombëtare, siç fatkeqësisht jemi sot. Ne nuk mund të presim që dikush tjetër në Tiranë a kudo tjetër ta marrë këtë rol për ne, duhet të marrim menjëherë vetë në dorë frenat e zhvillimit të Shkodrës.

Vetëm duke ndërtuar mbi të ardhmen e jo mbi të shkuarën, mbi pozitiven e jo negativen, të motivuar nga dëshira për mirë e jo nga urrejtja për të tjerët, mbi bashkëpunimin e jo konfliktin ne mundemi ta ndërtojmë ëndrrën tonë të përbashkët të një Shkodre, për të cilën të jemi krenarë, jo vetëm për atë që ishte në të shkuarën, por për atë që është sot e atë që do jetë nesër.

Bashkia, shtëpia e përbashkët e të gjithë shkodranëve, duhet të marrë përsipër rolin që i takon në planifikimin, skicimin e së ardhmes, si dhe të hartimit të projekteve, lobimit për mbështetjen e tyre dhe ndërtimin e një vizioni të ri dinamik, bashkëpunues dhe pozitiv për bashkinë.

Më poshtë janë shtyllat kryesore të programit. Një program më i detajuar do të përgatitet së bashku me ekipin dhe në konsultim me grupet e interesit.

Do të jenë tre drejtime kryesore si parime udhëheqëse të punës sime si kryetar i Bashkisë Shkodër:

      1. Bashkia forcon ekonominë.
      2. Bashkia është në punë.
      3. Bashkia është e hapur për të gjithë.
Programi/Projekte

1. Bashkia si aktor qendror i zhvillimit ekonomik.

Nëse Shkodra ka qenë në zanafillë të qytetërimit shqiptar dhe e rëndësishme në të gjitha kthesat e historisë, ka qenë ashtu për shkak se ka pasur ekonomi të fortë.

Kryefjala për suksesin në Shkodër është ekonomia. Do të punojmë për një ekonomi më të fortë, për më shumë vende pune dhe vende pune më të mira. Vetëm me një ekonomi më të fortë, do të kemi një shoqëri më të begatë, të arsimuar, të kulturuar e të zhvilluar.

Për një ekonomi të forcuar bashkia do të punojë për Investime publike dhe private të shumëfishuara.

 

A) Një grup i përqendruar i investimeve publike në territorin e Bashkisë me fonde të qeverisë , donatorëve e bashkisë.

Ky program i investimeve do të jetë i drejtuar nga bashkia dhe do të jetë shumë i rëndësishëm pasi:  

  • Do të shërbejë si nxitës i përmirësimit thelbësor të infrastrukturës në bashki.
  • Do t’i japë një fluks të rëndësishëm zhvillimi industrive të ndërtimit lokale e atyre të ndërlidhura me to që do të përfitojnë drejtpërdrejt nga këto investime.
  • Do të krijojë klimën e besimit  pozitiv që Shkodra është e hapur për investime.

B) Nxitja me çdo kusht e investimeve private për një ekonomi shumë më dinamike:

  • Tërheqja e investitorëve të huaj, vendas dhe shkodranë të larguar në fusha të zhvillimit të turizmit, industrisë, bujqësisë dhe energjisë.
  • Për biznese në drejtime strategjike për territorin tonë si trashëgimia kulturore, shërbime të reja të turizmit e inovacion teknologjik.
  • Për biznese të të rinjve e të rejave duke ndihmuar nëpërmjet skemave të granteve të bashkisë.

Të gjitha këto ndërhyrje të propozuara jam i sigurtë se do ta bëjnë Shkodrën një destinacion turistik më të avancuar dhe bashkinë me rritjen më të shpejtë të turizmit në vend. Do të krijojmë vende të reja tërheqëse pune dhe mundësi për biznese të reja. Shkodra do të jetë në rrugën qe i takon për të qenë, zemra ekonomike e rajonit.

Programi/Projekte

2. Bashkia në punë

Një gjeneral Amerikan thotë pak a shumë kështu: “Nëse do ta ndryshosh botën, fillo duke rregulluar shtratin tënd çdo mëngjes.”

Është e vërtetë që disa punë në bashkinë tonë mund të bëhen vetëm me bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe donatorëve të huaj, por është po aq shumë e vërtetë se ka plot punë të tjera që mund të bëhen duke u organizuar shumë më mirë vetë.

Kemi nevoje të ndërtojmë një bashki qe bën punët e shtëpisë mirë dhe shpejt. Të ndërtojmë një bashki efeciente, që bën plane dhe ekzekuton “pa u menduar”  procese pune rutinë.

Çfarë mund të bëjë bashkia me burimet e veta ?

Shumë më tepër:

  • Mund dhe duhet të kemi një qytet dhe fshatra shumë më të pastër se sa kemi sot.
  • Mund dhe duhet të kemi një kontroll më të mirë të territorit dhe të hapësirave publike.
  • Mund dhe do të kemi një transport publik që mbulon gjithë qytetin dhe fshatrat më të mëdhenj që të jenë praktikisht pjesë e qytetit.
  • Mund dhe do të kemi një rrjet të mbrojtur të korsive të biçikletave.
  • Mund dhe do të kemi trotuare të çliruara, të investuara e të mirëmbajtura.
  • Mund dhe do të kemi rrugë të fshatrave të investuar e të mirëmbajtura.
  • Mund dhe do të kemi shkolla të pastra, të ngrohta, të mirëmbajtura dhe terrene shkollore sportive të përshtatshme.
  • Mund dhe do të kemi lagje të pastra, të sigurta e të ndriçuara.
  • Mund dhe do të kemi shërbim më cilësor në shërbimin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.

Jemi me fat që kemi një komunitetit të madh, të ri, të mirëshkolluar. Kemi të gjitha mundësitë që punonjësit e bashkive, një pjesë e të cilëve sigurisht kanë përvojë dhe aftësi të lavdërueshme, mund të   bëjnë punë shumë më të mirë dhe më tepër  me drejtimin e duhur. Nga ana tjetër bashkia dhe ndërmarrjet e varësisë nuk ka asnjë arsye të jenë çerdhe militantësh partiakë, por do të kenë në pozicione drejtues profesionistë me përvojën dhe arsimimin e duhur.

Në shumë pak kohë do të kemi rezultate të prekshme në të gjithë shërbimet bazë që ofron bashkia.

Programi/Projekte

3. Bashkia e hapur bashkëpunuese me te gjithë

Besoj se edhe shumë prej jush, njësoj si unë keni vënë re që për të hyrë në bashkinë Shkodër, qytetarët duhet t’i sillen rrotull ndërtesës, për të hyrë “mes hatllash” nga një derë e pasme, në një nga godinat publike më të bukura në vend. Puna e parë që do të bëj si kryetar bashkie është të hap derën kryesore për të gjithë qytetarët e bashkisë.

Kjo nuk është vetëm një masë simbolike: në këndvështrimin tim, ajo godinë është  bashkia jonë është shtëpia e përbashkët e të gjithë banorëve të bashkisë Shkodër.

Si e tillë ajo do t’i ketë dyert e hapura për të gjithë qytetarët në çdo moment. Shërbimi, përkushtimi ndaj qytetarit do të jetë parimi udhëheqës i të gjithë punonjësve të bashkisë, nga roja tek dera tek Kryetari i Bashkisë.

Në këtë kontekst parimet e punës nën drejtimin tim janë:

  • Një bashki shumë e hapur dhe transparente për qytetarin .
  • Marrëdhënie pozitive dhe konstruktive më Këshillin Bashkiak, si përfaqësues i qytetarëve.
  • Marrëdhënie te hapura e transparente me opozitën. Unë mendoj se të gjithë i duam të mirën Shkodrës dhe nëse vëmë këtë të parën mund të tejkalojmë çdo polarizim të panevojshme politik.
  • Marrëdhënie të hapura me biznesin. Me këtë nuk kam parasysh konferenca e takime, por komunikim i vazhdueshëm duke qenë krejt i qartë për rolin e biznesit në forcimin e ekonomisë. Marrëdhënie të hapura e korrekte me qeverinë  e Shqipërisë duke hartuar, kërkuar, aplikuar e financuar nevojat e shumta të Bashkisë. Marrëdhënie të ngushta në nivel institucional, por edhe individual me Ministrat, Drejtorët e Agjencive Kryesore, që janë ndër partnerët më të rëndësishëm për zhvillimin e Shkodrës.
  • Marrëdhënie shumë të hapura e të fuqizuara me donatorët e huaj, që do të na mbështesin me financime, por edhe me njohuritë më aktuale për menaxhimin e sfidave të bashkisë. Një gjë që kam mësuar për mbi 20 vite punë në marrëdhënie me donatorët ndërkombëtarë është që e gjitha është çështje serioziteti, profesionalizmi dhe besimi. Në momentin që  do të punohet sipas këtyre vlerave, mbështetja nuk do të mungojë.
  • Marrëdhënie te drejtpërdrejta pune me shoqërinë civile, grupet mjedisore, rinore, kulturore.
  • Marrëdhënie të forta e të rregullta me shkodranët që nuk banojnë më në Shkodër, ato që jetojnë jashtë dhe ata që jetojnë në Tiranë. I shoh si partnerë të vyer në rikthimin e Shkodrës atje ku i takon.
  • Marrëdhënie të hapura e të forta me bashkitë fqinje si Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Lezha etj. Kemi shumë histori dhe interesa të përbashkët, me bashkëpunim mundemi ta ngremë ekonominë tonë.
  • Marrëdhënie të hapura me bashki të tjera në Shqipëri e në Europë, marrëdhënie të drejtpërdrejta punë jo vetëm protokollare e shkëmbim vizitash; kemi nevoje te mësojmë nga me te mirët.
  • Marrëdhënie shumë të hapura dhe transparente me mediat. Jam i bindur se do të krijojmë një bashkëpunim shumë pozitiv në të mirë të komunitetit, të cilit i shërbejmë.

Sfida është e madhe, të gjithë së bashku mund t’ia dalim.

Benet Beci