Programi

Projektet strategjike për Shkodrën

Në harkun kohor të pak viteve,  Shkodra do të jetë e lidhur me Europën dhe pjesën tjetër të Shqipërisë nëpërmjet Autostradës Adriatiko-Joniane, dhe nëpërmjet Hekurudhës moderne Vorë-Shkodër-Han i Hotit, të dy projekte në një fazë të avancuar. Pjesë të Autostradës Adriatiko-Joniane janë tashmë në punë si segmenti tërësisht i ri Thumanë-Kashar, ndërkohë që segmenti Muriqan-Balldre ka përfunduar studimin e fizibilitetit dhe po punohet projekti final me fonde Europiane. Hekurudha, nga ana tjetër do të fillojë zbatimin në vitin 2024. 

Si kryetar bashkie do të merrem natë e ditë me këto projekte strategjike për Shkodrën të cilat do të jenë baza e transformimit më të madh pozitiv  që Shkodra ka përjetuar ndonjëherë.

Projekte

1. Hyrja e Qytetit, Kartolina Europiane e Shqipërisë

Ballinën ujore të Shkodrës me urën e Bunës, Pazarin dhe portin në Bunë shpeshherë e gjejmë në kartolina të vjetra me mbishkrimin “Kujtim nga Shqipnia”. Kjo zonë është gjithmonë në kujtimet e udhëtarëve nëpër shekuj si një ndër vendet më të rëndësishme simbolikisht por edhe ekonomikisht të Shqipërisë.

Hyrja e Shkodrës sot, megjithëse ndër më të bukurat në Europë të jep një përshtypje jo të mirë mes trafikut, kaosit urban dhe projekteve publike të konceptuara e ndërtuara keq. Me këtë ndërhyrje duam të krijojmë një zgjidhje të trafikut dhe nga ana tjetër një mbresë pozitive për te gjithë vizitorët dhe një pikënisje dinjitoze për vizitën në bashkinë   tonë, duke krijuar në të njëjtën kohë një park me sipërfaqe të madhe që sot i mungon plotësisht qytetit.

Projekti përfshin krijimin e një parku buzë Bunës e cila do të krijojë parkun më të madh çlodhës dhe argëtues në Shkodër. Parku , përveçse në lulishten e vjetër do të shtrihet edhe në zonën mes dy bypasseve (Lot 1 dhe 2) duke krijuar një Koncept të ri të një parku sportiv e funksionesh të tjera rekreative  që bashkëjeton me përmbytjet sezonale kur ngrihet niveli I Liqenit në dimër..  Parku do të jetë një mushkëri e qyteti plot me gjelbërim me një sipërfaqe prej rreth 18 hektarë  dhe do të krijoje një marrëdhënie të re mes qytetit e liqenit si një bashkëjetesë ekologjike e në respekt të vlerave mjedisore; Një rrjet rrugësh e rrugicash për këmbësorë e biçikleta që lidhin natyrën me rrugë panoramike; një vendtakim të jashtëzakonshëm për evente publike; portin pranë urës së Bunës  si një pol turistik për lundrimin e Bunës dhe liqenit dhe një muze si tribut për të shkuarën e Shkodrës

Ky projekt përfshin edhe zgjerimin e rrugës nga Harku i Bërdicës tek Ura e Bahcallëkut përfshirë dhe zgjerimin e urës në katër korsi. Projekti do të japë  edhe zgjidhjen e qarkullimit në kryqëzimet dhe në rrjedhshmërinë e trafikut nga Ura e Bahcallëkut tek rreth rrotullimi I bypass-it të ri drejt kryqëzimit në Xhabije.  Do të krijojë një qarkullim normal për makinat, transportin publik dhe veçanërisht këmbësorët dhe biçikletat për të arritur në mënyrë komode një nga zonat më të bukura të qytetit tonë.

Projekte

2. Programi i transformimit urban të Shkodrës.

Për një kohë shumë të gjatë Shkodra ka vuajtur neglizhencën në zhvillimin e infrastrukturës së qytetit dhe zhvillimin urban të saj. Kjo ka sjellë në një gjendje të rënduar , të amortizuar e në përgjithësi të pamenaxhuar të hapësirës publike. Qarkullimi rrugor është i pazgjidhur  mirë , nuk ka parkime publike dhe është e parregulluar lëvizja e biçikletave. Trotuaret janë në gjendje jo të mirë , shpesh të zënë abuzivisht  duke krijuar vështirësi në qarkulli për këmbësorët. E gjithë kjo situatë ka krijuar një  një pamje tranzicioni të stërzgjatur në qytet: fatkeqësisht janë pamje që nuk ekzistojnë më në qytete të tjera të Shqipërisë.

Për këtë arsye propozojmë një program ambicioz investimi me qëllim:

  • Transformimin urban të akseve kryesore të qytetit me trotuare të rregullta e të çliruara, korsi biçiklete të dedikuar, gjelbërim të bollshëm, fasada të unifikuara e ndriçim të përshtatshëm. Masa të nevojshme për përmirësimin e qarkullimit si semaforë, vija të bardha për kalimin e këmbësoreve, trotuare të përshtatshme për persona me aftësi të kufizuar. Si projekt model, i cili do të shtrihet edhe në zonat e tjera , për këtë qëllim ,do të jetë rivitalizimin e bulevardit Zogu 1 nga Xhabija e deri në Qendër i cili do të kthehet në një korridor të bukur urban lidh  pikat më tërheqëse të qytetit mes parkut të Bunës  dhe qendrës së qytetit duke krijuar një fytyrë të re për qytetin dhe krijuar mundësi të reja  për bizneset përgjatë këtij aksi.
  • Rekuperimi dhe investimi kudo është i mundur të hapësirave publike, parqeve të vogla mes lagjeve të banimit e këndeve të lojrave për fëmijë.
  • Investim prej të paktën 50 km rrugë urbane në rrugët e rrugica në lagje të qytetit, në zonat informale periferike të qytetit dhe në fshatrat e mëdhenj që në vizionin tonë do të jenë praktikisht lagje të qytetit.
Projekte

3. Shkodra e kulturës dhe e trashëgimisë kulturore.

Trashëgimia e pasur kulturore është në zemër të identitetit të Shkodrës. Kur investojmë për kulturën po nxjerrim në pah kulturën tonë të pasur. Nga ana tjetër ne duam që Shkodra të kthehet në një qendër kombëtare të kulturës e për këtë arsye do të krijojmë të gjitha kushtet për lulëzimin e një kulture krijuese siç i ka hije Shkodrës. Ekonomia e fortë krijon kulturë , por edhe kultura krijon ekonomi.

Në programin tonë do të konsolidojmë dy pole kulturore për Shkodrën, të cilat do të jenë nga njëra anë forcim i krenarisë dhe identitetit tonë dhe nga ana tjetër forcim i produktit turistik. Të kombinuara së bashku këto do të krijojnë një ekonomi të rëndësishme bazuar mbi kulturën.

 

  • Poli i qendrës së qytetit përfshin një itinerar kulturor që zbulon pasuritë e jashtëzakonshme materiale e jo materiale të qytetit.
    • Muzeu Marubi
    • Teatri Migjeni
    • Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës.
    • Muzeu etnografik, shtëpia e Oso Kukës
    • Kulla e Inglizit.

Përveç këtyre atraksioneve publike, angazhohemi për të krijuar rrjetin e shtëpive të hapura ku do të mbështesim me grante nga bashkia e burime të tjera  shtëpi të vjetra shkodrane që mund të jenë të hapura në orare të caktuara për vizitorët për të treguar copëza historie të mrekullueshme të qytetit.

 

Investime kryesore:

  • Rikonstruksion i muzeut etnografik.
  • Rikonstruksion përfundimtar i Teatrit Migjeni.
  • Mbështetje për dhjetë shtëpi të vjetra Shkodrane.

 

Poli i hyrjes së qytetit është poli i qyteit të vjetër me një grup atraksionesh të jashtëzakonshme kulturore e natyrore ku përfshihen:

  • Kalaja e Shkodrës.
  • Muzeu Historik,
  • Muzeu i lundrimit,
  • Muzeu i Naturës. Foleja.
  • Itinerari i Taraboshit si një shteg që tregon historitë e liqenit e të Shkodrës.

Ky është një pol tjetër i dallueshëm nga ai i qendrës së qytetit ku njerëzit do të mund të shpenzojnë kohë nëpër kulturën dhe natryën fantastike të Shkdorës.

 

Do të mbështeten këto investime kryesore:

  • Rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik të Shkodrës në kala.
  • Muzeu i lundrimit, një tribut i jashtëzakonshëm për historinë e lundrimit në liqen e Bunë dhe pazarit të Shkodrës.
  • Muzeu i Natyrës apo Foleja në Shirokë si një vlerë e shtuar e atraksionit të liqenit.
  • Shtegu i Taraboshit me historitë e liqenit dhe qytetit e pikat panoramike.
Projekte

4. Infrastruktura lidhëse e bashkisë, Shkodra si qendër rajonale

Shkodra është një bashki me territor të madh e shtrirje të gjerë që nga Velipoja deri në Theth në Alpe. Është e domosdoshme që territori i bashkisë të ndërlidhet brenda vetes duke afruar komunitete por edhe atraksionet turistike më njëra – tjetrën. Nga ana tjetër këto rrugë të propozuara do të ndërlidhin Shkodrën me trevat e lidhura historikisht Ulqinin, Krajën, Gjakovën.

Një lidhje e mirë e Velipojës me Shëngjinin dhe Ulqinin do të krijojë një vijë bregdetare ranore prej më shumë se 50 km, një plazh që shtrihet në dy shtete e tre bashki, por praktikisht në të njëjtin komunitet. Kjo do të krijojë një mundësi unike për të pasur një qytezë të re turistike e urbane me të gjitha shërbimet në Velipojë që jeton gjatë gjithë vitit.

  • Ura e re e Bunës mes dy vendeve krijon një mundësi unike në këtë drejtim do të punojmë për të përfunduar rrugën Shëngjin-Baks Rrjoll dhe segmentin e fundit të rrugës më Shkodrës e Velipojës e lidhjen me urën e re drejt Ulqinit.
  • Rruga e Dukagjinit do fillojë punën brenda pranverës 2024 për të përmbyllur unazën e Alpeve dhe lidhjen e fshatrave më periferike e malore të bashkisë duke hapur një aks të ri për zhvillimin e turizmit malor por edhe hapjen e një aksi të ri komunikues me Tropojën dhe Gjakovën.
  • Rruga e re (në ndërtim) rruga Shirokë-Zogaj-Kufi së bashku me pikën kufitare të re do të krijojë lidhjen me zonën e Krajës si me rrugë automobilistike, biçikletash dhe varkash nëpërmjet rrjetit të moleve.
Projekte

Si do ti zbatojmë këto projekte? Fondi i Zhvillimit të Shkodrës

Ajo cka paraqitëm më sipër është një grup projektesh shumë ambicioz dhe nuk do të jetë i kollajtë zbatimi i tij. Për këtë qëllim unë propozoj krijimin e një mekanizmi të veçantë konceptimi, financimi e zbatimi i quajtur Fondi i Zhvillimit të Shkodrës.

Fondi do të jetë një paketë e madhe financimi tek e cila mblidhen të gjitha kontributet e donatorëve, bashkisë, Qeverisë Qendrore e partnerëve të tjera. Fondi menaxhon në mënyrë korrekte e transparente të gjitha financimet për zbatimet e projekteve duke u bërë edhe pionier në vend sa i përket konceptimit e zbatimit të projekteve në nivel vendor.

Do  të krijojmë një agjenci zhvillimore të shkathët, të shpejtë, zbatuese e transparente sipas traditës më të mirë të  simotrave Europiane. Përvec funksionit zbatues, Fondi do të jetë pika e ankorimit e ekspertizës më të mirë të Shkodrës, brenda apo jashtë vendit si një laborator i krijimit të ideve e projekteve zhvllimore me synim shpejtimin e zhvillimit ekonomik të Shkodrës.

Shkodra është ndalesa e parë nga Europa me autostradë apo hekurudhë, Shkodra është prezantimi i parë i Shqipërisë. Është detyra jonë që t’i japim fytyrën moderne Shkodrës për atë që përfaqëson në të shkuarën dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë.

Benet Beci